“Humbja e atributeve njerėzore, krimi dhe familja”

Një artikull i cili flet për atë fenomen që ka pushtuar mediat mbarë, sic është krimi në familje. Ku vëllai vret vëllanë për një copë tokë, për një gardh, apo për vogëlsira të tjera, krejt banale në dukje.

Një artikull i cili flet për atë fenomen që ka pushtuar mediat mbarë, sic është krimi në familje. Ku vëllai vret vëllanë për një copë tokë, për një gardh, apo për vogëlsira të tjera, krejt banale në dukje. Kur burri vret gruan dhe gruaja vret burrin, kur prindi vret fëmijën dhe fëmija vret prindin, ky është absurditeti i kohës që shënon dhe humbjen e vlerave më të larta të shoqërisë…

Në një periudhë të gjatë njëzet vjeçare tranzicioni, vërehet se individi shqiptar është tashmë një person i ngarkuar së tepërmi emocionalisht. Çdo herë e më shumë e gjen veten nën presione të ndryshme ekonomike, politike e shoqërore, të cilat theksohen gjithmonë e më tepër nga një rrjetëzim mediatik i cili qendrën e biznesit të tij ka inflacionin e lajmeve shqetësuese, duke i injektuar në këtë menyrë shoqërisë shqiptare emocione gjithmonë e më tepër negative.

Ndërtimi i marrëdhënieve ndërnjerëzore në një kontekst destabiliteti dhe tranzicioni të elementëve të sipërpërmëndura, vështirëson mbarëvajtjen e jetesës së individit të infiltruar në një shoqëri jo të qëndrueshme, por thellësisht problematike. Çdo ditë në media reflektohen raste të rritjes në mënyrë proporcionale të fenomenit të dhunës, shpeshherë e shoqëruar me krime të rënda.

Ky, natyrisht është një tregues i mirëfilltë i perceptimit të negatives dhe jetesës së trazuar të popullit shqiptar. Ajo çka më tepër shqetëson, është shtimi i rasteve të krimit brenda familjes, për shkak se kjo trondit thellësisht ndërgjegjen e individit, duke e bërë atë të rishikojë marrëdhëniet dhe lidhjet brenda saj edhe më gjerë. Ky është një sinjal mjaft i rëndësishëm për shkak se familja paraqitet të jetë treguesi më i saktë i zhvillimit të shëndoshë ose jo të shoqërisë në tërësi.

Mund të pohojmë me trishtim se krimet në familje janë pjesë e një realiteti të hidhur i cili përsëritet ndër shekuj në çdo vend të botës. Situata sa vjen e rëndohet për shkak se në shekullin e XXI kemi hyrë në një periudhë krize të përgjithshme. Ngjarjet e dhunës shpeshherë përkthehen si vrasje gjakftohta dhe të pamëshirshme. Kjo quhet ndryshe dhe “overkillings”, pra vrasje të cilat përmbajnë një sasi të madhe dhune, me akte tepër të rënda të cilat të lënë të tronditur dhe për më tepër shfaqen pa ndonjë arsye të qenësishme, kryesisht boshe, e cila lidhet me gjendjen shpirtërore dhe që shpesh shoqërohen nga mungesa e pendimit, si dhe nga një sjellje krejt normale në aparencë.

Shoqëria dhe familja

Ekzistojnë dy pozicione sjelljeje tek individi. Sjellja e tij në shoqëri është e ndryshme nga sjellja e tij në brendësi të bërthamës familjare. Kjo, për shkak të marrëdhënieve dhe interesave të ndryshme që e lidhin individin me ambientin që e rrethon. Kështu për shembull, në brendësi të familjes, duhet të mbizotërojë një marrëdhënie kohëzioni, ndërveprimi me pjesëtarët e tjerë. Kjo karakterizohet nga një klimë e ngrohtë dashurie familjare e përbërë nga mirëbesimi dhe besimi, e cila duhet ta shoqërojë individin për gjatë gjithë jetës së tij.

Nga ana tjetër, në jetën shoqërore jashtë familjes, personi paraqitet si një individ i cili ka marrëdhënie me pjesëtarët e tjerë të shoqërisë në mënyrë individuale duke krijuar tashmë identitetin e tij shoqëror. Aty, pra në shoqëri ai mësohet të dallojë mikun nga armiku, të keqin prej të mirit si dhe bën ballancën e marrëdhënieve të tij me shoqërinë dhe ambjentin. Mësohet të ruhet dhe të ruajë të tjerët nga vetja e tij, të bëjë mirë dhe të presë mirësi prej të tjerëve.

Për shkak se individi krijon identitetin e tij shoqëror dhe përballet me situata të ndryshme, herë - herë konfliktuale, kështu ai formon karakterin dhe figurën e tij shoqërore. Këto dy plane ndërthuren më njëra-tjetrën edhe pse në të shumtën e rasteve e mbajnë të fortë vijën ndarëse që i karakterizon. Kështu, kjo lloj sjelljeje bën që në brendësi të familjes të mos mendohet më për egoizëm dhe mbijetesë personale, por të krijohet një qetësi dhe harmoni e bazuar në besimin e ndërsjelltë dhe kohëzionit të përbashkët për një mbarëvajtje të shëndoshë të jetës familjare, ndërsa në shoqëri të ruhen marrëdhënie shoqërore bashkëjetese.

Gjej rastin të ritheksoj faktin se moderniteti, zhvillimi dhe përparimi në shoqeritë ekonomikisht të pavarura, ka çuar në një rivlerësim të marrëdhënieve brenda familjes dhe atyre shoqërore jashtë saj. Kështu, politikat sociale në këto vende, vendosin në qendër të vëmendjes së tyre monitorimin e të drejtave dhe lirive të individit karshi shoqërisë e familjes, dhe jo më ruajtjen e familjes dhe integritetit të saj.

Në këto politika nuk flitet ndonjeherë për obligimet e individit ndaj shoqërisë dhe familjes, por gjithmonë fokusohen në individualizmin duke lënë mënjanë perceptimin dhe disiplinimin e individit si qenie shoqërore. Kjo ka bërë që, edhe pse njeriu historikisht të jetë konsideruar si një qënie e cila karakteristikën e saj kryesore ka bashkimin dhe shoqërimin në grupe varësisht të vogla ose të mëdha në bazë të interesave të tij, të zhvillojë prirjen individualiste dhe egoiste, e cila e vendos vetveten në plan të parë duke u përkujdesur vetëm për interesat e tij primare dhe të drejtat e tij individuale.

Ky lloj individualizmi e zhvesh njeriun nga ndjenjat e tij natyrale të cilat kultivohen në kontekste të ndryshme familjare apo shoqërore.

Në familjen mulsimane synohet të zhvillohet një cikël i mbyllur marrëdhëniesh familjare, e cila nis që me përkujdesjen e fëmijëve nga ana e prindit kur ato janë të vegjël dhe mbyllet me përkujdesjen ndaj prindit nga ana e fëmijës kur ato kanë arritur pleqëri të thellë.

Këtë kohëzion na e përshkruan në mënyrë më se të qartë Kurani i Shenjtë kur i përkujton besimtarit se duhet të përkujdeset për prindërit e tij ashtu siç u përkujdesën ata kur ky ishte i vogël, duhet të ruajnë marrëdhëniet farefisnore, duke mos i harruar të afërmit familjarë dhe duke i mbajtur lidhjet me to me vizita të shpeshta.

Në këtë mënyrë përhapet mëshira dhe dashuria, si dhe përgjegjësia familjare për pjesëtarët e familjes. Kjo paraiqitet si një lloj edukate e cila është karakteristikë e marrëdhënieve familjare të qëndrueshme dhe tradicionale të perceptuara natyrshëm për qenien e njeriut dhe funksionin e tij tokësor.

E marrë në këtë kontekst, ajo shënon rritjen jo vetëm të ndërgjegjësimit nga ana e fëmijës lidhur me të drejtën e tij për të qenë i përkujdesur nga prindi, por edhe detyrën që mbart për të mos i shkëputur lidhjet familjare dhe për të mos u distancuar nga nevojat e bërthamës së cilës ai bën pjesë.

Kështu, zhvillohet një cikël i mbyllur i edukimit të brezave nën monitorimin dhe vëzhgimin e më të rriturve, të cilët garantojnë në këtë mënyrë mbarëvajtjen e edukimit familjar dhe për pasojë atij shoqëror. Nëse kjo hallkë shkëputet, dhe fëmijët rriten me perceptimin se për të qenë të sukseshëm duhet “t’ia dalësh vetë me forcat e tua” dhe larg bërthamës familjare, atëherë është e natyrshme që të krijohen ftohje të marrëdhenieve, çarje dhe moskokëçarje.

Pra, tendenca e ndarjes dhe largimit nga familja janë disa nga shkaqet që largojnë mëshirën dhe lidhjet nga individët e së njëjtës bërthamë familjare./Revista Familja/

Përgatiti: Vajada Keçi (Manjani)

0 komente

No Comments!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*


Captcha

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Scroll To Top



Ligjërata e Xhumasë e mbajtur me 04.04.2014 ne Xhaminë e Sebahut në Cyrih, ligjërues Bashkim Bajraktari, tema: Largimi nga vjedhja

Bashkim Bajraktari - Largimi nga vjedhja

Largimi nga vjedhja