Kosova nė kujtimet e brezit tim

Brezi im, ai para dhe pas meje, kemi dhe njëkohësisht nuk kemi shumë për të treguar, për Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare, jashtë kufinjve. Megjithatë unë sot do të mundohem të tregoj se si janë memorizuar Kosova dhe trevat e tjera shqiptare, në ndërgjegjen e shqiptarëve, brenda kufinjve të Republikës së Shqipërisë, në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Kujtimet e mia nuk kanë të bëjnë me politikën që ka ndjekur shteti, por me ndjenjat e bashkëkombasve të mi.

Jeni Myftari
Londër

Brezi im, ai para dhe pas meje, kemi dhe njëkohësisht nuk kemi shumë për të treguar, për Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare, jashtë kufinjve.
Megjithatë unë sot do të mundohem të tregoj se si janë memorizuar Kosova dhe trevat e tjera shqiptare, në ndërgjegjen e shqiptarëve, brenda kufinjve të Republikës së Shqipërisë, në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Kujtimet e mia nuk kanë të bëjnë me politikën që ka ndjekur shteti, por me ndjenjat e bashkëkombasve të mi.

Edhe pse kishim mësuar shumë për trimërinë dhe bëmat e shqiptarëve, për Lidhjen e Prizrenit, për Isa Boletinin e Azem Bejten, shumë pak na ishte thënë për masakrat që serbët dhe malazezët kishin bërë në vazhdimësi, në këto treva. Këto masakra përmendeshin shumë përciptazi dhe kujtoheshin vetëm në ndonjë pjesë teatrale, që vihej në skenë kryesisht nga trupat e teatrove të qyteteve të ndryshme.

Për Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore, nuk flitej pothuajse fare. Thjeshtë dihej se Kosova ishte tokë shqiptare dhe banohej nga shqiptarë, me të cilët kishim një gjak, një gjuhë dhe ishim një komb dhe ... kaq. Kultura e shqiptarëve të Kosovës, në Shqipëri, pasqyrohej vetëm nga një program javor 30', "Këngë Popullore të Kosovës", që transmetohej çdo të shtunë, në TVSH. Këngëtarë si Nexhmije Pagarusha, Luan Hajra, Shpresa Berisha etj, ishin të preferuarit e shumë e shumë teleshikuesve, që e prisnin me ëndje këtë emision.

U desh të vinte viti 1981, me demostratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, që TVSH-ja të transmetonte, për herë të parë, realitetin e Kosovës dhe për si për ironi, ky realitet merej nga pamjet që transmetonte RAI 1, apo kanale të tjera televizive italiane.

Tashmë që opinioni botëror po ngrinte zërin për dhunën që po ndodhte në Kosovë, shteti shqiptar po kujtohej se paska shqiptarë dhe jashtë kufinjve shtetërorë dhe se, duhet të sensibilizohet opinioni i brendshëm, për vëllezërit e tyre, në këto vise.
Shqiptarët e atyre viteve, kalonin një gjendje ekonomike tejet të mjerueshme. Edhe pse njerëzit ishin të "lumtur" në shtetin socialist, rrallat e gjata e të pafundme në dyqanet e ushqimeve, bulmetit apo bukës, pasqyronin në fytyrë, lodhjen dhe dhimbjen e brendëshme të këtyre njerëzve të "lumtur".

Televizioni ishte akoma një mjet luksi në ato vite dhe mungonte në pjesën dërmuese të popullsisë. Në këto kushte, njerëzit grupoheshin në disa shtëpi të lagjes apo fshatit, për të ndjekur bashkarisht emizionet e TVSH, kanali i vetëm televiziv në Shqipëri, i cili transmetonte nga ora 18.00 deri në orën 23.00-23.30.

Nga këto vite më ka mbetur në kujtesë se si shtëpia jonë, e cila kishte një dhomë të vetme, nuk i nxinte të gjithë fqinjët që vinin për të ndjekur ndonjë emison lajmesh, ndonjë film me Tarzanin apo ndonjë ndeshje futbolli. Në këto kushte, babai e vendoste televizorin në dritaren e dhomës, që shikonte nga oborri i shtëpisë dhe të gjithë uleshin në karriken që e merte secili me vete, në oborr. Problemi më i madh ishte në dimër se, bënte ftohtë dhe nuk mund të praktikohej ulja në oborr. Atëherë dhoma jonë e gjumit, mbushej plot me njerëz, të cilët uleshin kudo dhe ne, na duhej të prisnim derisa të mbaronte programi i televizorit, për të ngrënë e për të fjetur.

Në këto kushte ishte Shqipëria, kur për herë të parë u dëgjua zëri i studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe greva e minatorëve të Trepçes. Ditët e këtyre ngjarjeve ishin të dhimbshme për të gjithë, trysnia e fqinjëve që shihnin lajmet ishte shumë më e madhe.

Kanë mbetur të skalitura në kujtesën time prej fëmije, dhimbja dhe trishtimi që shfaqej në fytyrat e njerëzve. Ishte vërtet e dhimbshme tek shihje se si burrat qëndronin të tendosur. Një hije e zezë kishte rënë në fytyrat e tyre, hidhërimi kishte mbërthyer fytin dhe nuk i linte të flisnin apo komentonin gjatë. Pothuajse të gjithë përsëritnin fjalët "qeni serb, e shoftë Zoti e shoftë" dhe dukej se nuk i mbante vendi në vend.

Lotët që rridhnin nga sytë e grave dhe të fëmijëve, e rëndonin akoma më shumë momentin. Çdo shkop gome që binte mbi studentët, dukej se godiste ata të cilët qëndronin pas ekranit dhe që shihnin me dhimbje në shpirt, se si trajtoheshin vëllezërit e tyre. Ato studentë që qëndronin në spital të helmuar, dukej se ishin aty pranë nesh, siç i ndjenim para vetes kufomat e atyre djemve dhe vajzave, që nën dhunën e tankeve serbe, humbën jetën në lule të rinisë. Nënat qanin me zë, thua se po numëronin ligjet, në një varrim të përbashkët.

Zëri i brendshëm i thirrjes së gjakut të njejtë, ishte më i fuqishëm se sa ndarja që i ishte imponuar shqiptarëve, në vite. Ky zë nuk njihte kufinj. Ai ngrihej me aq forcë sa kapërcente çdo pengesë dhe vinte e zinte vend aty, në pjesën tjetër të zemrës së shqiptarëve, të brenda kufirit.

Është vërtetë për të qarë e për të qeshur njëkohësisht, kur kujton se si në atë kohë, në programin mësimor të shkollave në Shqipëri, u shtuan pesë orë mësimi, për tokat shqiptare jashtë kufinjve. Këto pesë orë mësimi përfshinin gjeografinë dhe historinë e asaj pjese të shkëputur të trojeve shqiptare.
5 orë mësimi...!? A mjaftojnë 5 orë për të mësuar historinë dhe gjeografinë e degës së shkëputur nga trungu amë...??? A mjaftojnë 5 orë për t'u mësuar shqiptarëve se gjysma e zemrës së tyre, që ndodhet jashtë kufinjve ka këtë apo atë histori. A mjaftojnë 5 orë mësimi për t'u mësuar shqiptarëve se gjysma e shqiponjës së flamurit të tyre, jeton në këto apo ato fusha e shkrepa ...???

Askush nuk u kujdes të trashëgonte lidhjen e gjakut, të gjuhës dhe dashurinë ndërmjet vëllezërve. Ajo jetoi në zemrën e çdo shqiptari, e trashëguar nga lindja e tyre, si pjesë e qenies dhe jetës së tyre.
Edhe pse lidhja ndërmjet shqiptarëve u masakrua në këtë mënyrë, ajo mbijetoi ashtu si mbijetoi kombi ynë, ndaj çdo dhune e masakre.

Edhe pse të huajt na vranë, na prenë e masakruan edhe pse gjaku i bijve më të mirë shqiptarë njomi tokën mëmë, askush dhe asnjëherë nuk mundi ta vrasë kurrë shirtin e lirisë, dashurisë dhe vëllazërisë së shqiptarëve, për njëri tjetrin.

Vitet kaluan dhe historia shkroi faqe të shumta për shqiptarët brenda dhe jashtë kufinjve. Histori të ndryshme në dukje, por të njejta në thelb.

Kështu do të vinte viti 1998 dhe unë do të isha përsëri dëshmitare okulare, e lidhjes së gjakut të kombit tim. Masakrat e reja të serbëve në Kosovë, do të më gjenin përsëri në qytetin tim të lindjes, në Tiranë, ku sapo isha kthyer nga studimet. Ngjarjet do të përsëriteshin me të njejtin ndryshim se, këtë herë dhimbjen nuk do t'a përjetoja më nëpërmjet ekranit të vogël të televizorit, por do të bëhesha dhe unë pjesë e saj.

Karvanet e pafundë të shqiptaëve që hynin nga Kosova, ditë e natë, të cilët të detyruar nga dhuna dhe masakrat e papërshkruara serbe, lanë vatrat e tyre dhe lëvizën kryesisht drejt tokave të tjera shqiptare, në Shqipëri dhe Maqedoni, e gjeti vendin të papërgatitur për këtë dyndje. Shqipëria, që akoma përjetonte krizën e rëndë ekonomike të shkatuar nga sistemi financiar piramidal, me vetëvrasjet e shumta apo krizat e rënda psikologjike të atyre që, patën humbur çdo pasuri, nuk ishte në gjendje të siguronte as bukën e përditëshme.

Familje të shumta binin e ngriheshin të uritur. Të rinjtë, në mënyra nga më të ndryshmet, u drejtoheshin kufinjve, për të siguruar bukën e gojës, jashtë vendit. Nënat shamizeza, akoma nuk i kishin fshirë lotët e Marsit të 1997, apo atyre ngjarjeve që shkaktoi kaosi i mëvonshëm. Mungesat e gjata të dritave dhe të ujit, e bënin akoma më të rëndë jetën e përditëshme.

Në këto kushte e gjetën shqiptarët e Kosovës, Shqipërinë, vendin aq shumë të ëndërruar prej tyre. Ai imazhi i "popullit të lumtur", që TVSH apo Radio Tirana, kishin propaganduar për vite e vite, u shemb para syve të tyre, ashtu siç shembet shtëpia e ngritur nga puplat, sapo fryn një puhizë e lehtë. Tashmë shqiptarët e Kosovës, po shihnin të vërtetën lakuriq, pa ngjyrat e retushit socialist.

Megjithë këto kushte tejet të vështira, shqiptarët edhe një herë i treguan botës mbarë se dashuria për vëllanë edhe pse larg dhe të ndarë, trashëgohet në gen. Ajo lind bashkë me njeriun. Edhe nëse nuk t'a mëkojnë që në fëmijëri, ajo prapë fle e heshtur brenda teje për t'u zgjuar në një moment të caktuar, atëherë kur plaga që ka zënë cipë, gërvishtet dhe fillon të dhembë.

Nuk ka se si te mos emocionohesh kur kujton ato mijëra e mijëra familje shqiptare që, hapën zemrat dhe dyert e shtëpive, për vëllezërit e tyre të ardhur nga Kosova. E pra shqiptarët e Shqipërisë, jetonin e banonin në kushte shumë të mjerueshme, në një sipërfaqe të pamjaftueshme për vetë familjen e tyre, në shtëpi të përbëra nga një dhomë e një kuzhinë, e ndonjë që kishte fat, kishte dy dhoma. Edhe pse në ngushticë, këtë sipërfaqe të pakët e ndanë me vëllezërit dhe motrat e tyre të Kosovës. Shqiptarët e këtej kufirit nuk kishin bukë në shtëpi për fëmijët e tyre por, atë kafshatë të vetme që u ndodhej në magje, e ndanë përgjysëm. Njerëzit i shihje të preokupuar, secili dëshironte të afronte, qoftë dhe ndonjë ndihmë sado të vogël, për vëllezërit e Kosovës.

Në atë kohë punoja në KMSH, si Nënkryetare e Departamentit të Gruas. Grupi ynë ishte ngarkuar të monitoronte gjendjen e të ardhurve që ishin vendosur në pronat vakëf të Komuniteti Mysliman, veçanërisht gjendjen e femrave, të cilat ishin bërë objekt i dhunës dhe përdhunimeve çnjerëzore të serbëve. Medreseja e Tiranës, ku dhe jepja mësim, e kishte humbur nocionin e të qenit shkollë. Ambjentet e saj ishin mbushur plot me të ardhur. Orari i punës fillonte në mëngjes herët dhe nuk dihej se kur mbaronte. Mëngjesi na gjente në ambjentet ku ishin vendosur të ardhurit, ndërsa mbrëmja në shtëpitë që kishin strehuar familje të shqiptarëve të Kosovës.

Angazimi më i madh ishte në kujdesjen për gratë dhe fëmijët, për sigurimin e ushqimit të të zotëve të shtëpisë dhe të ardhurve që ata strehonin. Dihet mirë se, asnjë familje shqiptare, nuk mund të përballonte jetesën për vetë e jo më të siguronte ushqim për ata që kishte strehuar. Lot, dhimbje, përkushtim dhe dashuri, përcillte çdo zemër shqiptari. Kështu krah për krah, të mbështetur tek njëri tjetri, ka mbijetuar shqiptari në shekuj.

Djemtë shqiptarë të këtej kufinjve, ashtu si vëllezërit e tyre të Kosovës, një shekull më parë, nuk e kursyen gjakun, por u rreshtuan së bashku krah përkrah, në mbrojtje të tokës arbnore dhe të nderit të shqiptarit. Gjaku i Gjeneralit të tri luftërave, Tahir Sinanit me shokë, i derdhur në mbrojtje të tokave shqiptare në Kosovë, tregoi dhe një herë se e vërteta dhe historia janë më kryeneçe se të gjthë ata, që kërkojnë ta mohojnë apo zbehin këtë realitet. Edhe një herë shqiptarët habitën botën, me vëllazërimin e tyre. Edhe një herë gjaku shqiptar, tregoi se çfarëdo që të mundohen të bëjnë armiqtë e kombit, nuk do të mundin t'a ndajnë shqiponjën e flamurit. Edhe pse tani së fundi e kanë imponuar heqjen e këtij simboli të shqiptarisë, nga flamuri i Kosovës, ajo jeton dhe do të jetojë në jetë të jetëve, në zemrën e çdo shqiptari.

Kombi nuk njeh kufinj dhe politika. Popullit dhe ndjenjës së tij kombëtare, nuk mund t'i imponohesh. Këtë e tregoi qartë 17 Shkurti 2008. Mbarë shqiptarët, brenda e jashtë kufinjve, në mërgim e kudo ku u ndodhën nëpër botë, festuan të gjithë së bashku si një trup i vetëm, ditën e ëndërruar prej shekujsh, Pavarësinë e Kosovës.

E gjithë Shqipëria u derdh në Tiranë që, ashtu si Prishtina, u skuq nga flamujt dhe u ndriçua nga drita e fishekziarreve, në shenjë gëzimi dhe solidariteti. Vlora, përjetoi Pavarësinë e saj të Dytë, atë që shqiptarët nuk mundën ta arrin para mëse një shekulli, më 28 Nëntor 1912. Në rrugën e Kukësit, kurrë më parë, nuk kanë kaluar më shumë makina, në një ditë të vetme, si më 17 Shkurt. Kurrë ndonjëhërë më parë, shqiptarët e Shqipërisë nuk janë dyndur për në Prishtinë, si në këtë ditë. E gjithë Shqipëria, shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi dhe diaspora, me mendje dhe zemër kanë qenë atje, në Kosovën nënë dhe kanë festuar ditën e Pavarësisë së përbashkët të shqiptarëve.

Edhe pse kemi jetuar të ndarë, kurrë nuk jemi ndier të tillë. E nuk ka se si të mos ndihesh krenar, me këtë popull kaq të mrekullueshëm. Kështu, shqiptarët edhe një herë, u bënë simboli i qëndresës dhe vëllazërisë kombëtare dhe i treguan botës se lidhja e gjakut, është më e fortë se gjithçka tjetër.

2 komente

  • selam motra ime Shume bukur pershkrimi i atyre viteve.Desh Allahu i madh qe te bashkonte dy pjese te nje trupi.Me shume malldhe selam Tina

  • Shkrim me shume ndjenja. Mjaft interesant per te mesuar si kane menduar dhe cfare kane ndjere ne ate kohe.Mendoj se eshte shume e vlefshme per bashkimin e kombit te ndihemi me prane njeri tjetrit.Ju falenderoj qe e sollet ne faqe.Selam. Luljeta

  • Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *

    *


    Captcha

    You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

    Scroll To Top


    Ligjerat nga Bashkim Bajraktari e mbajtur te Fondacioni i Rinisë islame

    Njihe natyren e tjetrit dhe fito - Bashkim Bajraktari

    Ligjerat nga Bashkim Bajraktari e mbajtur te Fondacioni i Rinisë islame